Rreth Sitit Arkeologjik
Një sit arkeologjik unik që shfaq trashëgiminë e pasur antike të Shqipërisë përmes një villa rustica klasike romake që evoluoi përgjatë shekujve, tashmë i vendosur brenda një godine moderne të vlerësuar me çmim, ku historia mund të zbulohet edhe përmes instalacioneve multimediale.

Zbulimi i një Siti Arkeologjik
Në vitin 1972, gjatë ndërtimit të një godine banimi në bllokun "Partizani", u zbuluan rrënojat e një kompleksi antik me dysheme të dekoruara me mozaikë polikromë. Gërmimet arkeologjike që pasuan treguan se vendbanimi daton që nga shekulli I pas Krishtit, duke zbuluar një kapitull të panjohur të historisë së hershme të Tiranës.

Vila Romake
Në fazën e hershme, kompleksi ka funksionuar si një villa rustica, një banesë rurale tipike romake. Në shekullin III ai u ristrukturua dhe mori përmasa më të mëdha, duke u organizuar në pars urbana (pjesa e banimit) dhe pars rustica (pjesa prodhuese me funksion bujqësor).
Në shekullin IV, një pjesë e hapësirave u dekorua me mozaikë të realizuar në teknikën opus tessellatum, me motive kryesisht gjeometrike, të përbëra nga mijëra tesserae prej guri me ngjyra natyrale. Gërmimet e fundit konfirmojnë se jeta këtu vazhdoi nga shekulli I deri në fillim të shekullit VI, ku materiali i zbuluar – si tjegulla, tulla, monedha dhe qeramikë – dëshmon për një aktivitet të pandërprerë. Siti përfaqëson një dëshmi të rrallë të historisë së hershme të Tiranës.

Mozaiku i Tiranës
I datuar në shekullin IV pas Krishtit, ky mozaik është një nga dëshmitë më të rëndësishme të artit romak në vend. Ai përbëhet nga mijëra tesera guri me ngjyra natyrale: e bardhë, e zezë, okër dhe e kuqe. Në të dominojnë motivet gjeometrike dhe elementet e stilizuara si peshqit, që lidhen simbolikisht me ujin, jetën dhe bollëkun.

Rreth Vizitës
Ky sit arkeologjik ju fton të zbuloni rrënojat e një vile romake dhe Mozaikun origjinal të shekullit IV, të ruajtur saktësisht në vendin ku u zbulua. Vizita jashtë ju njoh me muret e vilës, vaskat antike të verës dhe vetë mozaikun. Ndërsa brenda, në hapësirën e muzeut, do të shihni artefaktet e gjetura gjatë gërmimeve në këtë sit, të ndërthurura me instalacione multimediale që e sjellin historinë në mënyrë interaktive. Një eksperiencë tërheqëse dhe e përshtatshme për vizitorët e të gjitha moshave.

“Jetë antike në zemrën e qytetit modern.”