Instalimet Multimediale
Udhëtoni në Kohë përmes Teknologjisë.

Restaurimi Digjital i Mozaikëve
Në këtë sit prezantohet për herë të parë restaurimi digjital i dy kryeveprave të trashëgimisë sonë kulturore: Mozaikut të Tiranës dhe Mozaikut të Egzonarteksit nga Bazilika B në qytetin antik të Bylisit. Përmes teknologjisë më të avancuar të fotografisë Gigapixel, çdo pjesë e këtyre strukturave antike u dokumentua me rezolucion ultra të lartë. Për të rikthyer rrëfimin e tyre të plotë vizual, pjesët që mungonin (tesserae) u zëvendësuan dixhitalisht një nga një, duke u rindërtuar me imtësi e saktësi bazuar mbi pjesët origjinale ekzistuese. Ky proces i përsosur teknologjik u mundëson vizitorëve t'i përjetojnë këto kryevepra antike në detaje mahnitëse dhe të pandërprera, duke ju afruar më shumë se kurrë madhështisë së tyre fillestare.

Rindërtimi 3D i Vilës Romake
Eksploroni evolucionin e këtij siti antik përmes një modeli interaktiv 3D, të realizuar mbi matjet e themeleve ekzistuese. Gjatë kulmit të saj në shekujt III-IV pas Krishtit, kjo vilë romake ndahej në hapësirën luksoze të banimit (pars urbana) dhe atë të prodhimit bujqësor (pars rustica). Përmasat e mëdha të mozaikut të punuar me teknikën opus tessellatum dëshmojnë statusin e lartë të pronarëve, ndërsa vaskat e verës tregojnë një aktivitet të avancuar agrar. Duke naviguar në ekran, ju mund të shihni të gjithë kompleksin origjinal, pjesa më e madhe e të cilit mbetet ende e pagërmuar nën pallatet e qytetit modern.

Eksperiencë Interaktive: Lëvizni duart në ajër
Kush thotë se arti nuk mund të preket? Ky instalacion sjell një lojë magjike interaktive, të përshtatshme për fëmijët dhe vizitorët e çdo moshe. Pa e prekur fare ekranin, mjafton të lëvizni duart në ajër për të kapur, zhvendosur dhe fiksuar në vend kubikët e mozaikut antik. Pak histori, pak teknologji dhe pafund argëtim!

Dokumentarë në Ekrane
Tre ekrane të dedikuar shfaqin dokumentarë të shkurtër mbi historinë e sitit, procesin e gërmimit dhe punën e restaurimit. Filmat janë realizuar në bashkëpunim me arkeologë, historianë dhe restaurues që kanë punuar drejtpërdrejt në Mozaikun e Tiranës. Të disponueshëm në shqip dhe anglisht me titra, ata ofrojnë një hyrje të thelluar për ata që duan të kuptojnë më shumë.